Departamenti i Mësuesisë i Fakultetit të Shkencave të Edukimit në Universitetin e Shkodrës "Luigj Gurakuqi", në bashkëpunim me Shoqatën “Psikologët Shqiptarë” organizuan në mjediset e Bibliotekës së Universitetit, më datë 24.01.2020 Konferencën e Tetë Kombëtare Shkencore, me temë: “Fëmijët, mirëqenia dhe roli i sistemit arsimor”. Kjo konferencë vjen si vijimësi e konferencës së VII Kombëtare Shkencore organizuar nga departamenti i Mësuesisë.
Konferenca ishte e hapur për akademikët e fushës së edukimit dhe pedagogjisë së specializuar (mësues, psikologë, ekspertë të shëndetësisë dhe zhvillimit, punonjës socialë, mësues ndihmës, këshillues karriere, laborantë, profesionistë të punës në komunitet, punonjës të shërbimit shëndetësor etj.), politikëbërës në fushat e politikave sociale, arsimit, shëndetësisë, mirëqenies sociale dhe të edukimit, studentë të të tre cikleve të edukimit universitar, aktorë aktivë të shoqërisë civile, përfaqësues të OJF-ve që operojnë në fushën e edukimit dhe në atë komunitare dhe sociale, përfaqësues të Institucioneve Publike dhe Jopublike të orientuar drejt mirëqenies, përfaqësues të Drejtorive Arsimore dhe të Shërbimeve Sociale.
Seancën plenare e hapi dhe e moderoi drejtorja e departamentit të Mësuesisë, dr. Eranda Halluni Bilali, e cila pasi u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve, përshëndeti dhe falënderoi bashkëpunëtorët për organizimin e konferencës. Ndër të tjera, dr. Bilali theksoi rëndësinë e këtij eventi jo vetëm në drejtim të kërkimit shkencor, investimit profesional për mirëqenien e fëmijëve, por edhe rolit shumë të rëndësishëm që ka sistemi arsimor. Gjithashtu, në fjalën e saj, ajo theksoi se konferenca ka mbledhur së bashku të gjithë profesionistët që në punën e tyre të përditshme kanë në fokus fëmijën, sigurinë, mirëqenien e tij fizike, psikologjike e emocionale në mjediset e shkollës. Universiteti është një hallkë e rëndësishme në këtë model bashkëpunimi me shkollën, komunitetin, bashkinë, organizatat dhe synon të jetë lider i veprimtarive të tilla kërkimore-shkencore.
Do të vlerësonim në këtë event pjesëmarrjen e Rektorit të Universitetit të Shkodrës prof.dr. Adem Bekteshi, Drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Sociale, Strehimit dhe Shëndetit Publik pranë bashkisë Shkodër, z. Filip Vila, prof. as.dr. Nevila Furxhi departamenti i Punës dhe Politikave Sociale UT, dr. Merita Poni departamenti i Sociologjisë, UT, dr. Sabina Belshaku pedagoge pranë departamentit të Shkencave Sociale, Fakulteti i Shkencave të Edukimit, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan dhe dr. Eris Dhamo pedagoge pranë departamentit të Punës Sociale dhe Politikave Sociale, Fakulteti i Shkencave Sociale, UT.
Konferencën e përshëndeti Banda Muzikore “ The Door”.
Në vazhdim, konferenca vijoi punimet e saj me prezantimet e punimeve shkencore sipas tri sesioneve paralele. Sesioni i parë u moderua nga dr. Eranda Bilali, dr. Abla Xhaferri, dr. Eris Dhamo, sesioni i dytë u moderua nga dr. Rina Muka, dr. Megi Shllaku, dr. Sabina Belshaku dhe sesioni i tretë u moderua nga doct. Roland Guli, msc.Andi Hila, dr. Darina Çoni. Punimet e paraqitura në këto sesione kishin interes të lartë për pjesëmarrësit dhe nxitën diskutime mes profesionistëve. Një vlerë e shtuar ishte pjesëmarrja e studentëve dhe ish - studentëve, të cilët përmes paraqitjes së punimeve shkencore patën mundësinë për të shkëmbyer përvojat e tyre të lidhura me tematikat e konferencës.
Konferenca përmbushi misionin e saj duke u përmbyllur me një larmishmëri konkluzionesh dhe rekomandimesh të rëndësishme, të cilat do t’u shërbejnë aktorëve të ndryshëm të interesit që operojnë me fëmijët.