UNIVERSITETI I SHKODRËS “LUIGJ GURAKUQI”

 

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në rrugëtimin e tij ka përjetuar ndryshime të rëndësishme në strukturë, përmbajtje, organizim dhe në drejtimin e tij. Mund të veçohen dy periudha të mëdha të zhvillimit të tij :

  • Periudha e parë, 1957 – 1990, kur funksionon si Institut i Lartë Pedagogjik, me afat studimi 2-vjeçar e më pas 3 dhe 4-vjeçar.
  • Periudha e dytë, 1991 e në vazhdim, kur Instituti i Lartë Pedagogjik i Shkodrës, fiton statusin e plotë universitar.

 

Instituti i Lartë Pedagogjik

1957-1991

Më 2 shtator 1957 u hap Instituti i Lartë Pedagogjik 2-vjeçar i Shkodrës (Vendim i Këshillit të Ministrave Nr.150, datë 18.04.1957). Kjo konsiderohet si data e themelimit të një prej institucioneve më të rëndësishme të arsimit të lartë në vendin tonë. Shkodra, qyteti me një histori 2500- vjeçare, ka qenë gjithmonë një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës, artit, arsimit dhe shkencës shqiptare, mjedis ky që favorizoi zhvillimet sasiore dhe cilësore të arsimit të lartë në Shkodër.

Në vitin shkollor 1970 – 1971, Instituti i Lartë Pedagogjik, kaloi nga afati i studimit 2-vjeçar në atë 3-vjeçar. Ky kalim shënoi përditësimin si shkollë e lartë e plotë me të gjitha tiparet dhe u shoqërua me shtimin e programeve të reja mësimore, si dhe me rritjen cilësore të atyre ekzistuese. Kalimi i ILP-së, nga 2 në 3-vjeçar, rriti interesin e studimeve pa shkëputje nga puna. Përveç studentëve të regjistruar rishtazi, një formë tjetër, qe plotësimi  i studimeve nga ata studentë, të cilët  kishin kryer studimet në sistemin 2-vjeçar, për të përfunduar më tej studimet në sistemin  3-vjeçar.

Me rëndësi të veçantë për Institutin ishin lidhjet dhe marrëdhëniet e para me institucionet homologe jashtë kufijve të Shqipërisë. Kështu, në vitin 1971, vizita e një grupi pedagogësh të Shkollës së Lartë Pedagogjike të Prishtinës dhe më pas, të atyre të Akademisë Pedagogjike të Shkupit, u shoqëruan me  vizita të ndërsjella me pedagogët e ILP-së.

Në vitin shkollor 1982-1983, Instituti i Lartë Pedagogjik, kaloi nga sistemi 3-vjeçar në atë 4-vjeçar. Kalimi në sistemin 4-vjeçar do të përbënte një hap të rëndësishëm për ngritjen e punës mësimore-shkencore dhe edukative të këtij institucioni. Aspekt i rëndësishëm gjatë kësaj periudhe ishte edhe rritja e numrit të pedagogëve që u shoqërua me rritjen e katedrave. Në këto vite, kualifikimi i stafit akademik dhe puna studimore dhe shkencore e pedagogëve në fushën e arsimit, dha  kontribute të rëndësishme në zhvillimin e edukimit në Shqipëri.

Instituti i Lartë Pedagogjik i Shkodrës me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 124, datë 01. 04. 1989, do të emërtohet: Instituti i Lartë Pedagogjik i Shkodrës “Luigj Gurakuqi.

Gjatë viteve 1957-1991, Instituti i Lartë Pedagogjik në Shkodër, ka qenë qendra kryesore e përgatitjes së mësuesve për arsimin 8-vjeçar, ku janë diplomuar 9 586 mësues, pra, rreth ¼ e numrit të arsimtarëve që kishte Shqipëria në ato vite.

 

Universiteti i Shkodrës ‘Luigj Gurakuqi”

1991 e në vazhdim

Në vitet 1990, me vendosjen e sistemit demokratik e pluralist, edhe arsimi i lartë në Shkodër përjetoi zhvillime cilësore e sasiore. Instituti i Lartë Pedagogjik i Shkodrës, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 167, datë 28.05.1991 mori statusin e universitetit. Në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”  u rrit ndjeshëm numri i studentëve në degët ekzistuese dhe u hapën shumë programe të reja studimi. Universiteti ka strukturë të plotë të organizuar në 6 fakultete dhe 21 departamente.

Pas vitit 2000, Universiteti i Shkodrës, u angazhua në hartimin e politikave për të arritur në një kohë sa më të shkurtër objektivat e përcaktuara në Deklaratën e Bolonjës, përfshirjen në hapësirën evropiane të arsimit të lartë dhe promovimin e sistemit evropian të arsimit të lartë tek ne.

Kualifikimi i stafit akademik të USH-së ka qenë gjithnjë në qendër të punës shkencore të fakulteteve dhe të departamenteve. Gjatë këtyre viteve, por sidomos pas vitit 2012, konstatohet një rritje në kualifikimin dhe aftësimin e stafit akademik, që pasqyrohet në rritjen e numrit të gradave dhe titujve shkencorë. Kujdes i është kushtuar gjatë kësaj kohe integrimit të pedagogëve të rinj dhe studentëve në kërkimin shkencor. Pedagogët tanë kanë kumtuar me sukses në shumë konferenca e simpoziume ndërkombëtare të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit, si dhe kanë botuar më shumë vepra shkencore.

Gjatë gjithë këtyre viteve, Universiteti i Shkodrës, ka vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me shumë universitete e qendra të arsimit të lartë. Ai ka marrëdhënie të qëndrueshme bashkëpunimi kryesisht me universitetet ballkanike, austriake, italiane, amerikane, por edhe më gjerë.

Zhvillime të rëndësishme janë bërë në demokratizimin e jetës universitare, sidomos të organeve dhe të strukturave drejtuese të Universitetit. Një faktor i rëndësishëm për këtë është zgjedhja e drejtuesve në të gjitha nivelet e tyre nga komuniteti universitar, si dhe vendosja e konkursit si bazë për punësimin e personelit akademik, ndihmës mësimor dhe atij administrativ.

Hap i rëndësishëm në demokratizimin e jetës universitare është dhe zgjedhja e këshillave studentore të fakulteteve dhe të institucionit. Rritja e rolit të studentëve dhe vendosja e tyre në qendër të veprimtarisë universitare, është një tjetër arritje e rëndësishme demokratizuese. Studentët kanë të drejtë të marrin pjesë në proceset e vendimmarrjes së Universitetit, të shprehin vlerësimet e tyre për cilësinë e mësimdhënies dhe punën e personelit, si dhe të organizohen në këshilla studentore.