Laboratori i Trajnimeve të Edukimit të Vazhduar pjesë e Fakultetit të Shkencave të Edukimit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në kuadër të Projektit “Zhvillimi i kompetencave të mësuesve për një sistem gjithëpërfshirës të zhvillimit profesional të mësuesve në Shqipëri” (TEAVET) (ERASMUS+), më 6-7 dhjetor 2019 realizoi modulin e dytë dyditor me temë “Strategjitë e mësimdhënies”. Njëzet e pesë mësues të qarkut Shkodër të arsimit fillor, të mesëm të ulët, të mesëm të lartë, patën mundësi të ishin pjesë e trajnimit me qëllim përfitimin e njohurive, aftësive dhe teknikave,të cilat do të ndihmojnë dhe lehtësojnë në procesin e tyre të mësimdhënies. Trajnimi u realizua nga pedagogët e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, prof. dr. Gezim Dibra, dr. Eranda Halluni Bilali dhe prof.as.dr. Jozef Bushati .
Në shpërndarjen e certifikatave, nderoi me prezencën e tij dekani i Fakultetit të Shkencave të Edukimit, prof.dr. Fatmir Vadohej.
Moduli trajtoi çështje të mësimdhënies si “Strategjitë e Mësimdhënies”. Njohja dhe përdorimi i principeve didaktike, hartimi i objektivave, planifikimi i mësimit për një process mësimor të suksesshëm. Krahas aspektit teorik, pjesëmarrësit u aftësuan praktikisht në formulimin e objektivave të sakta, si dhe u informuan me lidhjen që ekziston midis objektivave të të nxënit, metodave dhe vlerësimit. Mësimdhënie e integruar e përcaktuar si organizim i procesit mësimor, për të bërë të mundur ndërveprimin apo unifikimin e informacionit, që merret nga disiplina të ndryshme mësimore, përbën një rëndësi në trajtimin e saj.
Flipped Classroom ishte tematika e dytë e trajtuar gjatë modulit dyditor. Pjesëmarrësit nëpërmjet prezantimeve, videove dhe diskutimeve, patën mundësi të njiheshin mbi qasjet dhe modelet e reja të mësimdhënies që mund të aplikohen në punën e tyre si mësues.
Laboratori i trajnimeve të edukimit të vazhduar u krijua bazuar në ligjin nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, në ligjin nr. 69/2012, datë 21.06.2012 “Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar; në Strategjia e zhvillimit të arsimit parauniversitar 2014-2020, në Udhëzimin nr.1, datë 20.01.2017, Statutin e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, datë 02.03.2018, kreu II, neni 8 pika 1/c, neni13, dhe Memorandumin e Mirëkuptimit mbi Funksionimin e Qendrave të të Nxënit gjatë gjithë jetës të nënshkruar nga 8 universitetet shqiptare në kuadër të projektit TEAVET (ERASMUS +). Laboratori do të ketë për qëllim ofrimin e moduleve, trajnimeve të akredituara dhe certifikimin për mësuesit në arsimin parauniversitar në përputhje me nevoja dhe interesat e tyre.