Më 13 dhjetor 2019, në godinën e re të Fakultetit Ekonomik u zhvillua konferenca e dytë shkencore me titull: “Dynamics of Sustainable Economic and Social Development”, në kuadër të 25 – vjetorit të krijimit të këtij Fakulteti. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të pushtetit lokal, përfaqësues të stafik akademik jo vetëm nga Universiteti i Shkodrës, por edhe nga Universitetet perëndimore. Kjo konferencë e realizuar në vazhdën e 25 –vjetorit të krijimit të Fakultetit Ekonomik, përbën një tjetër kontribut të vlefshëm të këtij fakulteti në drejtim të kërkimit shkencor në fushën e ekonomisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm e social të vendit.
Në fjalën e saj të hapjes, dekania e fakultetit, prof.as.dr.Blerta Dragusha, falënderoi përzemërsisht pjesëmarrësit, në edicionin e dytë të kësaj konference, duke e cilësuar atë si një ndër eventet më të rëndësishme të realizuara nga Fakulteti Ekonomik, që gjithashtu përmbledh një sërë aktivitetesh të organizuara në vitin 2019, duke përfshirë: seminare shkencore, workshope, leksione të hapura dhe evente të tjera sociale. Fokusi i kësaj konference nuk qëndron vetëm tek kërkimi shkencor, por edhe tek përfshirja e studentëve në çështjet terorike dhe praktike, theksoi prof.as.dr. Blerta Dragusha. Pjesa më inovative e kësaj konference është paneli i biznesit, që i dedikohet katër studentëve sipërmarrës të suksesshëm në biznes nën moshën 35 vjeç. Këta të rinj sipërmarrës jo vetëm që do të japin eksperiencën e tyre në biznesin e ditëve të sotme, por besoj, se është një shembull dhe impuls për të gjithë studentët e tjerë në jetën e karrierës, u shpreh dekania e Fakultetit Ekonomik.
Konferenca u përshëndet nga zv/rektori i Universitetit të Shkodrës, prof.dr.Gëzim Dibra, i cili theksoi se puna mësimore, kërkimore dhe shkencore është shtylla bazike në funksion të cilësisë duke garantuar gjithnjë e më shumë të diplomuarit në këtë fakultet dhe sigurinë në tregun e punës. Tematika dhe kumtesat e kësaj konference do të sjellin ide dhe këndvështrime të reja, duke i mundësuar studiuesve dhe specialistëve të rinj jo vetëm për të komunikuar, por edhe për të forcuar lidhjet e bashkëpunimit shkencor. Prof. dr. Gëzim Dibra përcolli falënderimet dhe mirënjohje të veçantë për të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre dhe mundësuan zhvillimin e kësaj konference.
E pranishme në këtë aktivitet, Kryetarja e Bashkisë Shkodër, znj.Voltana Ademi, në fjalën e saj, shprehu mirënjohjen për punën e përkushtuar të Fakultetit Ekonomik. Zhvillimi rajonal është një sfidë e ditëve të sotme për Shqipërinë për të vendosur në etapa të ndryshme të zhvillimit të Shqipërisë me qëllim përmirësimin e jetës ekonomike sociale të vendit.
Shqipëria ka në prioritetet e saj reformën e zhvillimit rajonal dhe nevojën për asistencë të vazhdueshme që BE vazhdon të japë ndër vite për të rritur kapacitetet rajonale. Ndërkohë, Bashkia Shkodër, falë bashkëpunimeve me donatorë të huaj, ka filluar punën e planeve sektoriale strategjike vendore, që kanë në fokus zhvillimin rajonal sektorial ku bëjnë pjesë projekte të rëndësishme me Kosovën dhe Malin e Zi.
Shkodra ka burime të pashtershme dhe zhvillimi rajonal i saj është bazuar në zhvillimin e turizmit, agrobujqësisë, sektorët e ekonomisë, të cilëve Bashkia Shkodër, i ka dhënë në fokus të saj mekanizma mbështetës, theksoi znj. Ademi.
Konferenca vijoi sipas programit të caktuar ku u prezantuan 27 punime shkencore të shpërndara në 4 sesione paralele.
Temat e trajtuara shprehën kontribute shkencore bashkëkohore të autorëve shqiptarë e të huaj, kërkues shqiptarë me karrierë akademike në universitete të njohura perëndimore, pedagogë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, pedagogë të Fakultetit Ekonomik të Beogradit, si dhe të fakulteteve të tjera të Universitetit të Shkodrës etj.
Gjatë sesioneve të Konferencës “Dynamics of Sustainable Economic and Social Development”, prezantimi i punimeve u shoqërua me diskutime dhe shkëmbim idesh e eksperiencash, duke ngritur kështu pyetje të reja kërkimore dhe hapur rrugën për hulumtime të mëtejshme.