Përmes një ceremonie madhështore të organizuar në Teatrin “Migjeni” u diplomuan 1294 studentë të 26 programeve të studimit të ciklit të parë “Bachelor” dhe 561 studentë të 27 programeve të studimit të ciklit të dytë, master i shkencave dhe profesional, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Kjo veprimtari e konceptuar në formën e një shfaqjeje artistike kishte tejmbushur sallën e teatrit me prindër, pedagogë dhe qytetarë të Shkodrës, të cilët ndoqën me emocion kurorëzimin e përpjekjeve dhe sakrificave të studentëve.
Studentët dëshmuan përmes kësaj ceremonie se të gjitha ëndrrat mund të bëhen realitet, nëse është guximi për t’i ndjekur. Studentja prezantuese, Sabina Shelegu, duke iu referuar rrethanave në vend u shpreh: “Mbase festimi ynë sot, në këtë kontekst tragjik kombëtar, mund të ngjajë i tepërt, por ne duam të dëshmojmë se jeta vazhdon duke bashkëndarë me ju një fjalë të urtë: “Kush është i lumtur, lumturon edhe të tjerët.”
Urimet e rektorit të USH-së, prof. dr. Adem Bekteshi, u duartrokitën nga pjesëmarrësit. Ndër të tjera ai u shpreh: “Për të gjithë studentët që janë diplomuar këtë vit akademik, sot është një ditë shumë e veçantë. Pas një periudhe studimi, keni përfunduar një fazë të rëndësishme në jetë, duke hapur një mundësi për përparime të reja. Kujtoni si hytë në auditorët e universitetit, ankthin që ju shoqëronte, shqetësimin se si do ta përballonit shkollimin në universitet. Sot ju ia arritët, ju jeni të diplomuarit e vitit akademik 2018-2019 të Universitetit të Shkodrës, dhe mbajeni me krenari atë diplomë.”
Emocionet e pjesëmarrjes i ndau në ceremoni edhe Kryetarja e Bashkisë, znj. Voltana Ademi, e cila me prezencën e saj rikonfirmoi lidhjen e vazhdueshme ndërinstitucionale të USH-së me Bashkinë e Shkodrës.
Promovimi i jetës universitare, erdhi përmes një minidokumentari të realizuar nga Laboratori i Gazetarisë dhe i Komunikimit të USH-së.
Këngëtaret dhe njëkohësisht studentet e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Rezearta Smaja dhe Artemisa Mithi debutuan mjaft suksesshëm në skenë.
Prezantuesi Erind Kopliku ftoi të marrin fjalën për të shprehur mbresat dhe emocionet e tyre studentet e dalluara: Eris Hoxha e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Dieleta Përlleshi e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, Pladiriona Ramaj e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Arlinda Shkabari e Fakultetit Ekonomik, Silvana Marku e Fakultetit të Drejtësisë, Sindi Ujka e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
Veprimtaria e organizuar rikonfirmoi se Universiteti i Shkodrës ka qenë gjithmonë i prirur për krijimin e një hapësire evropiane të arsimit të lartë. Ai gjendet përballë sfidash të mëdha, u është përshtatur ndryshimeve të vazhdueshme të legjislacionit, por edhe të tregut, duke ruajtur si prioritet të punës së tij studentin.
Ky aktivitet u zhvillua nën kujdesin e Rektoratit të USH-së, rektorit Adem Bekteshi dhe të Dekanëve, profesorëve: Suzana Golemi, Mimoza Priku, Fatmir Vadohej, Alma Hafizi, Blerta Dragusha, Roland Dodani.
Grupi organizator i kësaj ceremonie mjaft domethënëse ishin pedagogët: Gëzim Puka që konceptoi libretin dhe vënien në skenë, Roland Guli dhe Ergys Pirani për elementet muzikore, Ardi Hoti për spotin filmik, si dhe specialisti Elton Shpuza për elementet grafike në kompjuter.
Ceremonia u mbyll me ritualin e përvitshëm të hedhjes së kapeleve.
Suksese studentëve të USH-së!