Më datë 06 dhjetor 2019, Fakulteti Ekonomik organizoi edicionin e tetë të workshop-it me temë “Sfidat e Zhvillimit Rajonal”, ku u prezantuan 9 temat më të mira të punuara nga studentët e diplomuar në programet Master Shkencor dhe Profesional të këtij fakulteti gjatë vitit akademik 2018-2019. Siç çdo vit, qëllimi i këtij aktiviteti, ishte promovimi i punës shkencore të studentëve të Fakultetit Ekonomik para një audience që i kalon caqet akademike të tij, me dëshirën për të pasqyruar kështu kontributin e mundshëm që ky fakultet mund të japë në zhvillimin ekonomik të rajonit të Shkodrës, përmes punës së studentëve. Paralelisht me këtë, workshop-i synon edhe përforcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit Ekonomik dhe organeve të pushtetit lokal, komunitetit të biznesit dhe OJF-ve që veprojnë në Rajonin e Shkodrës. Shprehje konkrete e kësaj të fundit është edhe mbështetja financiare që dy institucione financiare prestigjioze që veprojnë në rajonin e Shkodrës i siguruan këtij aktiviteti, përkatësisht, OTP Bank dhe Banka Kombëtare Tregtare.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin Rektori i Univeritetit të Shkodrës, prof. dr. Adem Bekteshi, strukturat drejtuese dhe stafi i Fakultetit Ekonomik, përfaqësues të bizneseve dhe OJF-ve të rajonit të Shkodrës, si dhe studentë të këtij fakulteti, aktualë apo të diplomuar tashmë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Adem Bekteshi, përgëzoi Fakultetin Ekonomik për këtë organizim dhe kërkoi shtrirjen e kësaj tradite edhe në fakultetet e tjera të USH-së. Ai gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin e këtij fakulteti me komunitetin e biznesit dhe mbështetjen që ky i fundit ka ofruar jo vetëm në organizmin e këtij aktiviteti, por edhe në zhvillimin e eventeve të tjera në këtë fakultet.
Nga ana tjetër, zv. Dekania e Fakultetit Ekonomik, prof. as. dr. Albana Boriçi, në fjalën e saj përshëndetëse, falënderoi dy sponsorët e këtij workshop-i, OTP Bank dhe BKT, jurinë vlerësuese të studentëve, si dhe të gjithë studentët prezantues, si boshti kryesor i këtij aktiviteti.
Juria vlerësuese e temave të prezantuara këtë vit përbëhej nga profesionistë të fushave të ndryshme të biznesit dhe OJF-ve, e konkretisht nga:
Z. Arben Haveri, Drejtor i OTP Bank, Dega Shkodër,
Znj. Meliha Ulqini, Ekperte Kontabël,
Z. Genc Haxhaj, Drejtor i BKT, Dega qendrore, Shkodër,
Znj. Merita Fushaj, Shefe Finance pranë Hotel Colosseo dhe
Znj, Eljtana Shkreli, Shefe Ekzekutive e OJF-së, GO2.
Tematika e punimeve të prezantuara ishte e larmishme dhe i referohej të tri drejtimeve kryesore të studimit të ofruara nga Fakulteti Ekonomik, fushës së Menaxhimit, asaj të Financë-Kotabilitetit, si dhe fushës së Turizmit. Në përfundim, u shpërndanë certifikata dhe nga një dhuratë simbolike për të gjithë studentët prezantues. Gjithashtu u shpallën edhe tri temat më të mira. Juria vlerësoi me çmimin e parë studenten Albana Bushati me temën “Ndikimi i kapitalit njërëzor në performancën e bizneseve, rasti i Shkodrës”, me çmimin e dytë studenten Edmira Ceni me temën “Faktorët e brendshëm përcaktues të strukturës së kapitalit të firmave, evidenca nga qyteti i Shkodrës” dhe me çmimin e tretë studenten Armanda Gjeta me temën “Inovacionet në turizëm. Rasti i Shkodra Tourist Brand”. Studentëve fitues iu shpërndanë certifikatat e çmimeve përkatëse dhe dhuratat e ofruara nga sponsorët e përmendur më lart.