Panairi i Punës dhe Vullnetarizmit u mbajt më datë 23.11.2019 në ambientet e reja të Fakultetit Ekonomik. Organizatorë të këtij aktiviteti ishin: Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Shkencave të Edukimit dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
Eventi u hap në orën 10.00 të ditës së shtunë nga dekania e Fakultetit Ekonomik znj. Blerta Dragusha, e cila fillimisht përshëndeti pjesëmarrësit në 10- vjetorin e këtij panairi. Më pas, ajo u shpreh, se ky panair është shumë i rëndësishëm për vlerat që mbart dhe për krijimin e lidhjeve Universitet – Biznes. Këto lidhje do të krijojnë urat për praktikat mësimore dhe më pas punësimin e studentëve pranë tyre.
Pas saj, fjalën e mori znj. Rozafa Zmijani, drejtore e Drejtorisë Rajonale të Shëbimit Kombëtar të Punësimit. Ajo falënderoi organizatorët për këtë eveniment të përvitshëm, që organizon Fakulteti Ekonomik me DRSHKP. Në vazhdim ajo i ftoi studentët që të bëhen pjesë e praktikave të pagueshme që ky institucion zhvillon në bashkëpunim me biznese të ndryshme.
Në fund të ceremonisë së hapjes u ftuan pjesëmarrësit të vazhdonin me intervistat e punës në ambientet e caktuara. Pjesëmarrës ishin njësitë ekonomike si ofruese të pozicioneve të ndryshme të punës, ndërsa studentët si kërkues të një vendi të përshtatshëm pune. Gjithsej morën pjesë 17 njësi ekonomike dhe një institucion publik. Ata realizuan intervistat e punës dhe mbajtën shënime në lidhje me përzgjedhjet që do të bëjnë në të ardhmen.
Pas përfundimit të intervistave u zhvillua Post-Panairi në një ambient tjetër të Fakultetit Ekonomik. Në këtë takim grupi organizator dhe bizneset diskutuan rreth çështjeve që mund ta përmirësojnë këtë proces në të ardhmen. Aty u vunë në dukje përgjegjësitë dhe detyrimet e secilës palë.