Në ambientet e Bibliotekës së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, më 22 nëntor 2019, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, përkatësisht departamenti i Gjuhës angleze, organizuan konferencën e tretë ndërkombëtare me titull “The Power of Language”.
Fjalën përshëndetëse e mbajti Rektori i Universitetit të Shkodrës, prof.dr. Adem Bekteshi, i cili përgëzoi departamentin për realizimin e konferencës si një arritje e rëndësishme në punën kërkimore shkencore. Konferencat tashmë po bëhen traditë në Universitetin e Shkodrës duke e përqendruar punën dhe vëmendjen e tyre tek kërkimi shkencor. Përfshirja sa më shumë e studentëve në kërkimin shkencor dhe bashkëpunimi me stafin akademik, përbën një aset të rëndësishëm në zhvillimin e ideve dhe zbatimin duke u bazuar tek kërkimi i aplikuar, theksoi prof.dr. Adem Bekteshi. Gjatë fjalës përshëndetëse, prof. dr. Adem Bekteshi, gjeti rastin të përgëzojë dhe të vlerësojë punën e prof. Simon Edwards, lektor pranë departamentit të Anglistikës, si një ndër profesorët që kanë dhënë kontribut të shquar në mësimdhënie pranë këtij departamenti.
Kryetari i Senatit Akademik të Universitetit të Shkodrës, prof.dr.Adem Bekteshi, përcolli vendimin e Senatit të datës 01.11.2019 me nr.vendimi 347, dhe në bashkëpunim me departamentin e Gjuhës angleze i akorduan titullin “Profesor Nderi”, prof. Simon Edwards me motivacionin: “Për kontribut të shquar në mësimdhënie dhe përmirësimin e kurrikulës së programit të studimit të gjuhës angleze, në angazhimin si mentor dhe redaktues i punimeve të doktoratës së stafit akademik të gjuhës angleze dhe si organizues e pjesëmarrës në shumë konferenca të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja”.
Konferencën e përshëndetën dr. Albana Hadri, përgjegjëse departamentit të Gjuhës angleze, dr. Arben Bushgjokaj, i cili shfaqi një kolazh të shkurtër të jetës 25 - vjeçare të departamentit të Gjuhës angleze që nga krijimi i tij, duke vlerësuar dhe falënderuar profesorë e specialistë, të cilët kanë dhënë kontribut të shquar në hapjen dhe krijimin e këtij departamenti.
Të ftuar në konferencë ishin pedagogë, dekanë, ish- dekanë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, si dhe studentë të fakultetit.